Në konferencën “Urat e reja për Shqipërinë 2030” u prezantuan projektet e para të zhvillimit të pronave publike shqiptare nga sipërmarrjet private përmes konkurseve ndërkombëtare.
Në këtë aktivitetet ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, kreu i qeverisë bëri të ditur se kjo është një qasje e re e zhvillimit të veprave publike përmes privatit, duke marrë shembuj nga Italia dhe Spanja.
Sipas Kryeministrit, shteti do të jetë pjesë në zhvillimin e pronës nga privati, përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve.
Ky instrument i ri do t’u japë mundësinë institucioneve publike që të zhvillojnë pronat e tyre përmes privatëve.
“Besoj që të gjithë i keni parasysh skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cënojnë peisazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat përveç degradimit të këtyre aseteve.
Ndërkohë që jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tjetër të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur nga eksperiencat e Italisë dhe Spanjës të cilat prej shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime me sektorin privat.
Faktikisht sot ne jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare, projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen. Do të vendosen përmes garave të hapura.
Shteti nuk do të zhvishet nga pjesëmarrja në zhvillimin e pronës, duke marrë edhe përfitimet, por do jetë edhe një aktor në bashkëpunim me aktorët e tjerë të tregut.
Nëpërmjet këtij instrumenti të ri ne ju japim mundësi të gjitha institucioneve që të përdorin instrumentin për të zhvilluar pronat që kanë në funksion të interesave të tyre publike dhe u japim mundësi sipërmarrjes që në shumë raste kur për të zhvilluar një pronë private ndeshen me problematika që lidhen me një pjesë prone që është pronë e shtetit, të mund të përdorin këtë instrument jo më siç ka ndodhur në të shkuarën që ose duhet ta ndryshoje atë pronë pa marrë asgjë mbrapsht përveç një çmimi simbolik, ose mos të reagoje fare dhe kështu faktikisht pezulloje përfundimisht një mundësi zhvillimi private”, deklaroi ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al