Kryeministri Edi Rama shprehu sërish mbështetjen ndaj idesë së krijimit të një shteti bektashi brenda vendit tonë. Në 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, kreu i qeverisë tha se ky shtet do të ketë një status të ngjashëm me atë të Vatikanit, por nuk kërcënon bashkëjetesën fetare në vendin tonë as dhe integritetin territorial të Shqipërisë.

“Ky komunitet është në rrugën e shuarjes, kjo po ndodh para syve tanë. Prandaj historia e Bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, nuk do të vërë në diskutim sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, se çfarë nuk dëgjon njeriu… Jo! Shqipëria është shtet unitar, jo federal. Edhe Italia është shtet unitar, por i ka nja tre realitete brenda saj me statuse të tilla. Komunitetet e tjera fetare nuk kanë pse të shqetësohen, sepse ky nuk është trajtim i veçantë, por trajtim i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe nëse nuk do ta kishin, ndërsa ne e kemi dhe jemi gati ta lëmë të vdes”.

Rama foli dhe për kontributin që kanë dhënë bektashinjtë për popullin shqiptar ndër shekuj. Duke mos e cilësuar rastësi vendosjen e Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri 95 vite më parë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shprehet se 2025 është viti i përmbushjes së domosdoshmërisë për Statutin e Urdhrit Bektashi.

Si shembull i harmonisë fetare, i pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe kreu i Dioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj. Ky 95-vjetor konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme, të reformës së kulteve të nisur në Shqipëri nga qeveria mbretërore në 1929, vit ku në Shqipëri u kryen tre kongrese fetare, ai Ortodoks; ai Mysliman dhe ai i Bektashinjve.

Klan News