Shqipëria është kthyer në një pikë tërheqëse për vizitorët në Panairin Ndërkombëtar “Fitur 2025” që hapi dyert të mërkurën në Madrid. Kryeministri Edi Rama përcolli mbresat e vizitorëve të stendës së Shqipërisë, teksa premtojnë se do të jetë destinacioni i radhës për ta.
“Shqipëria ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm me stendën “Albania All Senses”. Sipas organizatorëve, kjo stendë është kthyer në stacionin më tërheqës për vizitorët, çka premton shumë për një tjetër vit fantastik në turizmin shqiptar”, tha Edi Rama.
Vizitorët e shumtë në stendën e Shqipërisë në “Fitur 2025” u shprehën se mezi presin të shohin vendin tonë nga afër.
“Shqipëria ka qenë në listën time, sepse duket e mrekullueshme. Dua të zbuloj plazhet, gjithashtu më pëlqen vera. Pra unë dhe bashkëshorti im kemi në plan të vizitojmë Shqipërinë, pasi na pëlqen të zbulojmë thesare të fshehura”, tha një vizitore.
“E vërteta është se do të doja të dija më shumë, pasi udhëtoj vazhdimisht dhe dua ta vizitoj për të njohur një vend tjetër të ndryshëm nga i yni”, tha një vizitor.
Ndërsa të tjerë shprehen se duan të dinë më shumë për Shqipërinë, dhe aktivitetet që mund të bëhen në vendin tonë.
“E di që Shqipëria ka terren malor. Po ashtu dua të shoh gjiret e plazhet dhe të njoh ushqimin tuaj. Ne kemi shumë restorante shqiptare në Kinë”, tha një tjetër vizitor.
“Nuk kam qenë ndonjëherë. Po kërkoj një punë për sezonin veror dhe një nga destinacionet e mundshme është Shqipëria”, tha një vizitore tjetër.
Shqipëria mbylli një vit të sukseshëm të turizmit me mbi 11.7 milionë turistë të huaj dhe sipas prenotimeve që janë bërë viti 2025 do të ketë një rritje të ndjeshme të turistëve.
Klan News