Pas shumë javësh me replika në distancë, kryeministri Edi Rama dhe gazetari i TV Rai 3, në Itali, Gorgio Mottola u përballën në Tiranë. Intervistën e zhvilluar në zyrë e kryeministrisë, Edi Rama e nisi duke shpjeguar arsyen që sipas tij, reportazhi i Rai 3 baltosi Shqipërinë.
“Qëllimi ishte sikur donit të bënit një emision për qendrat e pritjes së emigrantëve dhe kjo është e drejta juaj e shenjtë, por ta lidhësh këtë histori me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, personazhe të errët të Shqipërisë, ishte i qartë mesazhi që marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, që nuk e vlerësoni dhe midis një qeverie në Shqipëri me personazhe të lidhur me trafikun e narkotikëve. Kjo ishte pjesa e neveritshme”.
Sipas kryeministrit Rama edhe përfshirja e Engjëll Agaçit në akuza, kishte të njëjtin qëllim.
“Po ç’hyn Engjëll Agaçi me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje. Ç’lidhje ka? Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxhia Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme!”
Renditi arsyet se përse sipas tij, nuk mund të faktosh që Shqipëria është një narkoshtet, ashtu siç u pretendua në reportazhin e Rai 3.
“Po ç’narkoshtet?! Nuk ju duket se po më jepni vetë një provë të neverisë së atij programi? Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE… Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt”.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe akuzave për takime me njerëz të cilët kanë pasur lidhje me kartelin e drogës Sinaloa.
“Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj”.
Për akuzat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, Edi Rama thotë se nuk duhen marrë seriozisht për sa kohë mungojnë provat.
“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen”.
Gazetari: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.
“Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë. Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka””.
Akuzat ndaj vëllait të tij i konsideroi të neveritshme.
“Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar. I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim”.
E teksa flet për rëndësinë e fakteve, Edi Rama i tregoi gazetarit italian se vite më parë edhe ai e ka ushtruar këtë profesion.
Edi Rama: Unë ju flas për faktin. Për mua, të bësh gazetarin, është një gjë e madhe. Ky jam unë”.
Gazetari: Jeni ju këtu në foto?
Edi Rama: Jam unë.
Gazetari: Çfarë ju ndodhi? Me flokë, nuk ju njoh.
Edi Rama: Sepse unë bëja gazetarin.
Gazetari: Kush ju katandisi kështu?
Edi Rama: Burimet prestigjioze që keni intervistuar ju për serinë e parë.
Të gjitha faktet e pretenduara në reportazhin e Rai 3, sipas kryeministrit Rama janë thashetheme të grumbulluara nga burime të ndryshme që nuk i shërbejnë as publikut Italian dhe as atij shqiptar.
Klan News