“Saranda edhe me port turistik, portet e Durrësit dhe Vlorës do të transformohen”
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se pasi të mbyllet procesi për kompaninë që do të fitojë projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, do të nisë një proces për ndërtimin e një tjetër aeroporti. Bëhet fjalë për Sarandën.
Me katër aeroporte, Rama tha se Shqipëria hyn në një tjetër epokë të re. Për kreun e qeverisë impakti do të jetë i madh jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Kosovën.
“Besoj se në vijim do të kemi një qartë në ditët në vijim për ecurinë e këtij procesi. Procesi i garës është ndërprerë në momentin e mbylljes së përgjithshme në pranverë. Do të rihapet aty ku është ndërprerë me një periudhe të shkurtër kohe të mbetur. Ajo që duam të garantojmë është që do të ketë prezencë të kompanive të huaja të cilat në panoramën globale të rizës janë pjesa më e goditur, flas me kompanitë që merren me aeroporte dhe transportin ajror. Sapo të mbyllim procesin e Vlorës, sapo gara të mbyllet jemi gati të lançojmë procesin për aeroportin e Sarandës për të cilën është bërë e gjithë përgatitja, por strategjia jonë ka qenë dhe mbetet që të bëhen hap pas hapi dhe jo bashkë menjëherë. Aeroporti i Sarandës është një aeroport më i vogël dhe me një impakt strategjik për turizmin. Kemi besim se nëse Vlora do të jetë një sukses në aspektin e pjesëmarrjes dhe mundësisht përfshirjen e një entiteti prestigjioz ndërkombëtar atëherë patjetër që edhe Saranda nuk ka arsye pse mos të jetë sukses. Besoj që me këto katër aeroporte hyjmë në një epokë të re qoftë në aspektin e infrastrukturës aeropotuale qoftë edhe me një kanal të ri ekonomik që hapim. Me impakt jo vetëm për Shqipërinë, por edhe me Kosovë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se së shpejti në Sarandë do të fillojë puna për ndërtimin e portit turistik.
“Dhe e fundit në pak javë do të mund të japim të gjitha autorizimet për fillimin e portit të tretë që do të jetë i pari që do të fillojë turistik në Sarandë. Kemi marrë një propozim që është fantastik dhe ndryshon gjithë paradigmën e zhvillimit të Sarandës”.
Ndryshime do të ketë edhe për portet. Së shpejti pritet të spostohet porti i Durrësit.
“Së shpejti do të fillojmë me transformimin e madh të Durrësit, ku plani im është që të spostojmë portin ekzistues, i cili e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit, i cili është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarde mjedisore shumë të ulëta për të mos thënë zero dhe faktikisht pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi për një epokë tjetër të Durrësit turistik”, tha Rama. Ai u shpreh se porti i Durrësit do të hidhet në garë ndërkombëtare dhe do të zhvillohet aty ku është plani i zonës së lirë ekonomike.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Vlorën.
“Porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standardeve, shërbimeve, impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit që prek drejtpërdrejt qytetin. Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare me Lungomaren me fazën e tretë përfshin edhe një port turistik që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën sikundër me Durrësi. Ndërkohë edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve”, tha Rama./tvklan.al