Turi elektoral i Partisë Socialiste ka vijuar ne qytetin e Elbasanit, ku kryetari i selisë rozë Edi Rama ka prezantuar dhe kandidatet socialistë për deputet që do të garojnë me 28 qershor në këtë qark. Gjatë takimit me banorë, kryesocialisti i ka siguruar mbështetësit e tij se ndarja me politiken e vjetër të paaftësisë dhe korrupsionit pas 28 qershorit nuk do të jetë më një ëndërr, por një kapitull i ri, që do t’u japë mundësi shqiptareve të lëvizin të lirë pa viza në Europë.
Duke iu referuar deklaratës së Zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, Zhak Barro, në lidhje me liberalizimin e vizave, Rama tha se në këtë proces Serbia është më afër se Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve përpara ndërkombëtareve.
Edi Rama: “Unë sot nuk ju premtoj, por angazhohem solemnisht përpara jush se vitin e ardhshëm çdo shqiptar e shqiptare do të hyjë dhe do të dalë lirisht nga Shqipëria e për familjet e ndara nga kufijtë që mban mbyllur paaftësia dhe korrupsioni i Sali Berishës nuk do të ketë më kufij.”
Për kryesocialistin është koha që të gjithë të besojnë tek forca e votës për të ndryshuar të ardhmen. Ai u i ftoi qytetarët të bashkohen me thirrjen ÇOHU, lajtmotiv i fushatës elektorale të partisë që drejton, duke replikuar kështu në distance me kryeministrin Berisha, mbi komentet e kreut të qeverisë për këngën që shoqëron fushatën elektorale të Selisë Rozë.
Edi Rama: “Sali Berisha tha se thirrjes tonë “çohu” i përgjigjet duke thënë se është në këmbë, por kënga jonë nuk është për Saliun që rri në këmbë ngaqë kalin e pushtetit e ka lidhur me trungun e familjes, po për shqiptarët e zakonshëm dhe të ndershëm që i ka gjunjëzuar varfëria dhe papunësia, për popullin e tradhtuar 18 vjet me radhë, që në 28 qershor do të çohet në këmbë për ta zgjidhur kalin e pushtetit nga litarët e e politikës së vjetër dhe për të vrapuar një kalë drejt Europës pa kufij.”
Në Elbasan, kryetari i Partisë Socialiste premtoi se do ta shndërrojë Elbasanin si Tiranën.
Edi Rama: “I shikoni këto motrat binjake, kështu do ta bëjmë Tiranën dhe Elbasanin pas 28 qershorit./tvklan.al