Kryetari i PS Edi Rama vijoi turin e takimeve me rrjetin e vullnetarëve në qytetin e Patosit. I fokusuar në ndryshimin që mund të sjellë një bashkim i ri i qytetarëve përtej kufijve të politikës së vjetër, Rama u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij me ardhjen në pushtet të socialistëve një vëmendje e veçantë do t’i kushtet arsimit dhe diplomimit të të rinjve.
Edi Rama: “Ne do t’i bëjmë gjimnazet dhe universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës dhe të meritës dhe do t’i garantojmë investimet shpirtërore dhe materiale të prindërve shqiptar e çdo familje për nxënësit e studentët, jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, por duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj.”
Sipas Ramës reformimi i sistemit arsimor do t’i japë një tjetër impuls politikave ekonomike dhe konkurrencës në tregun e punës.
Edi Rama: “Kjo është koha jonë, ky është momenti ynë dhe askush ndër ne, asnjë qytetar e qytetare s’duhet ta lej bosh vendin e vet në këtë përpjekje, për i dhënë fund të vjetrës në pushtet dhe për ti dhënë jetë një pushteti të së resë.”
Ndër të tjera në fjalën e tij Rama theksoi se qytetarët kanë nevojë për një politikë të re, jo vetëm për të shpëtuar nga politika e vjetër, por që t’i japin fund varfërisë dhe mungesës së shpresës për një të ardhme më të mirë./tvklan.al
Gazetar: Kristaq Thano