“Jam ultra i sensibilizuar për rafinerinë e Ballshit, nuk ka nevojë për greva”
Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një konference për mediat ditën e sotme edhe për situatën në rafinerinë e Ballshit. Ai u shpreh se kompania private është privatizuar në mënyrë kriminale.
Kreu i qeverisë u shpreh se gjatë gjithë viteve në qeveri ka bërë maksimumin që puna të vazhdojë normalisht. Për këtë ai është takuar edhe me Presidentin e Azerbajxhanit. Së shpejti, Rama tha se pritet të marrë informacion në lidhje me kompaninë e përfshirë.
“Sa i përket naftëtarëve ajo është një kompani private, ajo është një kompani e privatizuar në mënyrë kriminale dhe janë pasojat e një procesi privatizimi kriminal ku ne dhe unë personalisht jemi përfshirë në mënyrë të vazhdueshme për të lehtësuar dhe për të ndihmuar dhe mbështetur ata njerëz që janë aty duke bërë lloj-lloj akrobacish, lloj-lloj lutjesh nga më të habitshme. Do të shkruaja një libër për çfarë kemi bërë dhe çfarë kam bërë personalisht në gjithë këto vite që ajo ndërmarrje të mund të vazhdojë normalisht. Jo më larg se pak javë më parë kam vajtur enkas të takoj Presidentin e Azerbajxhanit për të folur për këtë temë. Edhe dje, sot pasdite do të marrim informacion se çfarë të reje ka në këtë drejtim me kompaninë që presupozohej që pasi fitoi një garë për të marrë atë krudin do të hynte në procesin e ndezjes së rafinerisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se greva e urisë nuk është mjeti i duhur për të sensibilizuar atë vetë pasi është “ultra i sensibilizuar” për problemet në rafinerinë e Ballshit.
Rama u shpreh se aktualisht qeveria është në fazën e kërkimit të zgjidhjes dhe jo mbylljes së rafinerisë.
“Çfarë kemi ndihmuar? Sa kemi mundur, por për të na fajësuar dhe për të thënë që ne jemi përgjegjës për këtë është e tepërt. Do të bëjmë çmos, por është një ndërmarrje që është qysh në krye të herës nëse kishte një arsye për ta privatizuar ishte për rimëkëmbur përmes investimeve. Privatizimi ishte kriminal dhe në atë ndërmarrje asnjëherë nuk u bënë investime serioze që do të mund ta ripërtërinin të gjithë strukturën. Ajo rafineri është keqshfrytëzuar në vijim. Jam shumë i shqetësuar, por padiskutim e rëndësishme është të bëjmë diçka. Më vjen shumë keq për njerëzit atje, pa pikë dyshimi. Jam gjatë gjithë kohës i informuar, por nuk mendoj se ka nevojë për greva urie për të më sensibilizuar mua sepse jam ultra i sensibilizuar për atë rafineri dhe grevat e urisë bëhen kur nuk dëgjohet njeri. Ne i kemi ndjekur në vijimësi, kontaktet kanë qenë të vazhdueshme, por problemi i asaj rafinerie është në thelb. Ajo rafineri do një investim të madh për t’u rimëkëmbur për të funksionuar në plan afatgjatë. Ose do një politikë që ne po bashkëpunojmë me BE që të mbajmë një ekuilibër në kohë të amortizimit social të punonjësve ndërkohë që rafineria mbyllet përfundimisht, por nuk jemi në këtë fazë në opsionin e mbylljes, por jemi në fazën e opsionit të kërkimit”, tha Rama. /tvklan.al