Të majtë e të djathtë, e gjithë politika shqiptare ka shprehur keqardhjen për sulmin ndaj kandidatit për president Donald Trump. Presidenti i Republikës, kryeministri dhe lideri i opozitës veç solidaritetit me Trumpin dhe familjen e tij në këtë moment të vështirë, janë të shqetësuar për këto forma të prapanushme të dhunës politike.
Bajram Begaj: E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci.
Edi Rama: Shqetësuese që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.
Sali Berisha: Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në këtë akt të urryer terrorist të gjendet dhe të marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor.
Edhe kryeparlamentarja Nikolla në mesazhin e saj për tentativën për vrasjen e ish-Presidentit e cilëson dhunën si të papajtueshme me demokracinë.
Tv Klan