Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Rreth 2000 persona të arrestuar ndodhen në repartet e sigurisë si të paraburgosur. Një vit më parë, sistemi i paraburgimit ishte në varësinë e policisë së shtetit, ndërsa tani ka kaluar në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Gazetarja: Raporti i fundit i OSBE-së për sistemin e paraburgimit në Shqipëri, e cilëson gjendjen si mjaft problematike. Gjatë një viti sipas këtij raporti nuk ka pasur ndryshime dhe përmirësime dhe gjendja në komisariate mbetet e njëjtë.

Sipas raportit qelitë në komisariate vazhdojnë të jenë të mbipopulluara, aq sa të ndaluarit detyrohen të flenë me turne. Në Durrës, Shkodër dhe Vlorë, në një qeli mund të mbahen dhe 19 persona. Raporti shpreh, se shërbimi shëndetësor në 25 qendrat e paraburgimit mungon, ndërsa të arrestuarit paguajnë dhe ryshfet, për të siguruar një vizitë mjekësore.

Ekspertët kanë konstatuar se mjaft të paraburgosur me probleme psikike, mbahen në komisariate dhe nuk është gjetur një zgjidhje për trajtimin e tyre. Rasti i fundit ishte 17 vjeçari nga Berati, që ekzekutoi dy policë, pasi trajtohen në qelinë e spitalit, jo në kushtet e duhura të sigurisë dhe trajtimit të specializuar mjekësor. Ushqimi i të burgosurve konsiderohet nën nivelin minimal, ndërsa higjiena në repartet e sigurisë komisariat është jashtë parametrave.

Gjendjen e vështirë në repartet e paraburgimit e pranon dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve, duke kërkuar nga qeveria ambiente të tjera.

“Sot infrastruktura që kanë komisariatet është në mbingarkesë e jashtëzakonshme dhe marrja direkt nga ne nuk do të përmirësonte asnjë gjë. Atëherë është gjetur rruga më e mundshme, janë bërë propozimet përkatëse është ngritur një ekip, i cili po studion gjithë organet e paraburgimit, për t’i bërë propozimin qeverisë për ndryshimin dhe formën e marrjes së vendimit të ri, për këto paraburgime”.

Të paraburgosurit e mitur mbeten ende të diskriminuar, mjaft prej tyre mbahen në shumë raste në qeli me autorë të krimeve të rënda, që rrezikojnë jetën dhe riedukimin e të miturit./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj