Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, shpreh keqardhjen e saj, në lidhje me keqinformimin që po i bëhet këto ditë opinionit publik në lidhje me mandatin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Duke i konsideruar abuzive dhe të pa vërteta pretendimet e ngritura në disa mjete të informimit mbi këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se nuk është kërkuar asnjëherë kufizimi i prezencës së OSBE-së apo i rolit të saj në lidhje me zgjedhjet, e kundërta është e vërtetë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe reformën zgjedhore. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë prej më shumë se 3 vjetësh është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër të të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së në përputhje me realitetet e reja në vend.

Ministria i përmbahet qëndrimit se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma zgjedhore janë dhe mbeten fusha prioritare të bashkëpunimit me OSBE-në, ku ndihma dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i saj është dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Po kështu reforma në drejtësi dhe projektet e përbashkëta dhe mirë qeverisjes mbeten fusha prioritarë të bashkëpunimit OSBE-Shqipëri.

Duke e fokusuar veprimtarinë e misionit në Shqipëri në këto 3 fusha MPJ beson se do të rritet efikasiteti i saj dhe do të shmanget çdo mbivendosje mbi punën e organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri, duke ju përgjigjur më mirë realiteteve dhe kërkesave të vendit.

MPJ i është përmbajtur me përpikmëri këtij qëndrimi në të gjitha dokumentet e saj. Çdo interpretim tjetër në veçanti pretendimi se kjo ministri ka kërkuar kufizim të rolit të OSBE-së në lidhje me zgjedhjet është i pa vërtetë dhe absurd./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

Montazh: Ergis Hasanbelli