Real Madridi ka rikthyer interesimin për ish-mbrojtësin e tij, Mario Gila, pasi kërkon të përforcojë alternativat në prapavijë, në merkaton e verës.
Me kalimin në Serie A, Gila ka shkëlqyer te Lazio që nga largimi i tij nga “Bernabeu” në vitin 2022.
Ai u ble për 6 milionë Euro nga bardhekaltrit, me Real Madridin që ka në zotërim 50% të kartonit të tij. Që kur iu bashkua Lazios, 24-vjeçari ka lënë pas problemet muskulore në fillim të sezonit dhe është bërë një titullar i rregullt për skuadrën.
Dhe këto paraqitje, sipas spanjolles “AS” kanë bërë që te Reali të mendojnë se ai mund të jetë vlerë e shtuar në ekip.
Nën drejtimin e Marco Baronit, Gila ka luajtur në 13 ndeshje radhazi në Serie A. Tekniku e lë atë në stol gjatë takimeve të Ligës së Europës, pasi e shikon vendimtar në arritjen e objektivave në Serie A.
Te Reali ka probleme në qendër të prapavijës e për drejtuesit është parësore që ky problem të zgjidhet. Por Mario Gila pëlqehet edhe nga Interi.
Klan News