Me agjentë të ngjashme, por në ceremoni të ndryshme inaugurimesh kryeministri Berisha dhe kryetari i bashkisë Rama kanë përshkallëzuar sulmet në distancë. Për herë të parë gjatë këtyre ditëve Berisha i ka kërkuar llogari Ramës mbi fondet për shkollat.

Sali Berisha: “Në Tiranë nuk është ndërtuar ndonjë shkollë e mesme, e kundërta ndodh tek shkolla “Misto Mame”, priten çdo tre vjet shirita për të njëjtin motiv. Qeveria i ka dhënë Tiranës 2 miliard lekë për 18 shkolla. Zoti Rama duhet t’u thotë qytetarëve ku janë shkollat me kredinë e qeverisë.”

Por kryetari socialist si përgjigje ka theksuar, se asnjë lek nuk vjen nga buxheti i qeverisë për shkollat e Tiranës.

Edi Rama: “Ne po i vejmë në dispozicion fëmijëve dhe të rinjve të kryeqytetit nga qendra në periferi shkolla të standardeve evropiane dhe më vjen keq se na ka rënë për hise një kryeministër, që nuk e përballon dot kontrastin e dhimbshëm mes modelit tonë të suksesit dhe pamjes së dështimeve të qeverisë tij. Vetëm më gënjeshtrat që ai ka thënë për shkollat e Tiranës, që në fakt janë 23 shkolla të reja që ndërtohen dhe rikonstruktohen nga e para pas asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Atëherë hunda e kryeministrit do të kishte prekur malin e  Dajtit. Po ti mbledhim pastaj të gjitha gënjeshtrat sot me siguri hunda e tij do kishte cekur Taraboshin.”

Por dy kundërshtarët politik i kanë lënë gjithsesi të hapur njëri tjetrit mundësinë për takim dhe kjo ndoshta do të ndodhë në një projekt të përfunduar për Tiranën. Ftesës së Ramës për takim në terren, Berisha gjithashtu i është përgjigjur me një tjetër ftesë.

Sali Berisha: “Sharrën, edhe mund të shkojë në Sharrë, se është me pare të qeverisë, pastaj le të vijë ai në Sharrë me paret e qeverisë, shkoj unë diku me paret e bashkisë.”

Deklarata u bënë në projekte të përfunduara infrastrukturore. Kryeministri në Vorë përuroi përfundimin e rrugës hyrëse që lidh autostradën me këtë qytet. Investimi i buxhetit të shtetit me vlerë 37 milion lekë si dhe rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare, investim prej 45 milion lekësh.

Kryetari i bashkisë Rama ishte në shkollën “Skënder Çaçi”, tërësisht e rikonstruktuar me një vlerë prej 860 mijë eurosh. Projekti përfshiu jo vetëm ndërtimin e infrastrukturës së re shkollore, por dhe mobilimin e saj të brendshëm sipas standardeve bashkëkohore./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi