Ky përrua që kalon në zonat periferike të Prishtinës, nuk pastrohet prej kohësh nga mbeturinat që kanë mbushur dy anët e tij. Veç kësaj është bërë vend për derdhjen e ujërave të zeza të dhjetëra pallateve të rinj që po ndërtohen aty pranë.
“Banorët këtu afër, kushdo që kalon këtu, më së shumti gjatë verës era ndjehet akoma më e rëndë. Ndjehet era deri tek shëtitorja që është këtu pranë.”
![](https://tvklan.al/wp-content/uploads/2025/02/pellgu-ne-kosove-1024x558.png)
Projektet për sistemimin e tij duhej të kishin përfunduar prej kohësh, por ato kanë mbetur pezull, ashtu si dhjetëra plane që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
Projektet financohen nga Bashkimi Europian, por fondet janë bllokuar si pjesë e sanksioneve që Bashkimi Europian i ka vendosur qeverisë së Albin Kurtit që prej 2023-shit.
Brukseli ka kritikuar qeverinë e Kosovës se nuk ka bërë sa duhet për të ulur tensionet në veriun e vendit me shumicë serbe, që pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Këto shqetësime janë në fokusin e një reportazhi të agjencisë së lajmeve “Reuters”, që thotë se kjo situatë do të ketë ndikimin e saj në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
“Reuters” citon sondazhet vendase ku “Vetëvendosja” e Albin Kurtit rezulton të ketë një rënie me 10% nga 2021-shi dhe pritet të marrë një shumicë prej 40% të votave. Rritje kanë partitë e tjera opozitare “Lidhja Demokratike” dhe “Partia Demokratike e Kosovës”.
Tv Klan