SPAK ka thirrur nëndrejtoreshën e një instituti arsimor, Brikena Baxhakun në lidhje me kallëzimin ku pretendohet se drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka falsifikuar diplomën e gjimnazit.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se Baxhaku është thirrur në SPAK si një person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes, ku ka dhënë dëshminë e saj për afro 2 orë.
Sjellim në vëmendje se në Dhjetor të 2024-ës, Këlliçi ka dëshmuar në SPAK lidhur më këtë kallëzim. Pas daljes nga Prokuroria, Këlliçi mohoi pretendimet se ka bërë deklarim të rremë lidhur me diplomën e shkollës së mesme.
“Nuk jam një person anonim që nuk me njeh askush. Mund të shkoni të shikoni dëftesën e 8-vjeçares dhe të shkollës së mesme dhe të kuptoni se kush është Belind Këlliçi. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime. Një nga krenaritë e mia të jetës është që kam denoncuar korrupsionin që ndodh çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Është një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë”, tha ai.
Këlliçi u shpreh se kushdo që ka diçka në raport me të duhet t’i dalë përballë teksa shtoi se asgjë nuk mund ta stepë apo t’i mbyllë gojën atij dhe PD-së për të denoncuar aferat korruptive./tvklan.al