Prej 11 Janarit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) në KQZ ka nisur regjistrimi si votues nga jashtë vendit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje aplikuesve që të shohin me vëmendje aplikimin e tyre duke sjellë disa shembuj të fotove që janë vendosur gabim.
Siç mund ta shikojmë nga fotot që ka shpërndarë Celibashi, ka që nga fotot çift e deri të filxhanët e kafesë.
Ai bën me dije se ka një buton “Ndihme” ku qytetarët mund të gjejnë video të tutorialeve dhe manualeve ndihmuese për regjistrimin e tyre.
“Që nga data 11 Janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni NDIHMË gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si Votues Nga Jashtë. Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim”, tha Celibashi.
Sipas të dhënave në KQZ rezulton se 125 mijë zgjedhës unikë kanë bërë kërkesë për regjistrim. Prej tyre 97 mijë u është miratuar kërkesa.
Mbi 27 mijë të tjerëve u është refuzuar, pikërisht për disa prej gabimeve që mund të kenë kryer gjatë regjistrimit.
Celibashi bën me dije se në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 Mars 2025 edhe për ata që mund t’u jetë refuzuar kërkesa fillimisht./tvklan.al