Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar se është rihapur gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

Ndërtimi i portit të Porto Romanos, sipas saj, është një investim strategjik për Shqipërinë dhe rajonin.

Afati i fundit për paraqitjen e ofertave është 7 Shkurti i vitit që vjen, ndërsa parashikohet që përfundimi i fazës së parë të punimeve të kryhet për 40 muaj.

Zv/kryeministrja Balluku ftoi operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj të marrin pjesë në këtë garë ndërkombëtare.

Referuar të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i parashikuar është 39,3 miliardë Lekë. Porto Romano është konsideruar si një nga investimet më të rëndësishme portuale në vend, pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë edhe Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut.

Klan News