Shumë e rëndë që opozita ka mbetur e papërfaqësuar
Arben Ristani, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike u shtohet zërave kundër linjës së ndjekur nga opozita për djegien e mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Në një koment në rrjetet sociale, ish-numri 2 i demokratëve thotë se opozita dështoi të ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve siç kishte premtuar ndërsa thekson se Rama duhet mundur vetëm me votë.
“Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje –dhe jo në llafe– Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë”.
Ristani thotë se është shumë e rëndë që tani opozita ka mbetur pa përfaqësim.
“Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë ne zgjedhje me Ramën, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli”.
Ish-zyrtari i lartë i selisë blu i bën thirrje lidershipit aktual për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore.
Tv Klan