Rreth 1250 studentë janë ulur për herë të parë në auditoret e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Infermieria mbetet dega më e preferuar edhe këtë vit të ri akademik ndërsa më pas renditen studimet ekonomike dhe ato teknologjike. Më pak ka patur interes për degë të shkencave shoqërore, por megjithatë asnjë prej tyre nuk pritet që të mbyllen.
Rreth 8900 studentë janë regjistruar këtë vit në Universitetin e Shkodrës, një numër thuajse i njëjtë me një vit më parë. Më pak interes ka këtë vit për shkencat e natyrës apo lëndë si historia, gjeografia dhe gjuha gjermane. Pavarësisht kësaj degët nuk priten që të mbyllen, por të reformohen. Degët e ekonomikut mbeten edhe këtë vit të preferuara.
Interes i shtuar për të vijuar studimet edhe në Universitetin e Elbasanit. Mbi 1 mijë studentë janë regjistruar këtë vit akademik në 5 fakultetet e këtij institucioni arsimor ndërsa janë ezauruar kuotat në degët e shkencave mjekësore. Interes ka patur edhe për degët e ekonomikut.
Mbi 450 studentë janë regjistruar këtë vit në Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Risi këtë vit është dega e inxhinerisë teknologjike kuotat e së cilës janë ezauruar ndërsa të preferuara mbeten infermeria dhe degët e ekonomikut. Ka rënë interesi për degët që lidhen me bujqësinë.
Më shumë se 350 nxënës janë ulur për herë të parë në auditoret e Universitetit “Eqrem Çabej”, numër i njëjtë me një vit më parë. Infermeria dhe mësuesia mbeten programet më të zgjedhura ndërsa këtë vit është shtuar interesi dhe për studimet master.
Rreth 750 studentë kanë zgjedhur këtë vit akademik Universitetin e Vlorës. Fakulteti i Shëndetit Publik mbetet më i preferuari ndërsa janë hapur edhe degë të tjera.
Klan News