Qytetarët shqiptarë vijojnë të mbeten besnikë të përdorimit të parasë fizike, duke e rritur sasinë e përdorimit të tyre në treg, me rreth 390 miliardë lekë.
Të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se kjo sasi parash, e cila qarkullon jashtë sistemit bankar, ka pësuar një rritje të lehtë me 0.5% krahasuar me një muaj më parë, ndërkohë që në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo sasi mbetet 1.4% më e lartë.
Referuar raportit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023, shtimi i infrastrukturës për përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave është reflektuar në raportin e parasë jashtë bankave ndaj parasë likuide, e cila qëndron në nivelin 51%, nga 52.7% që ishte një vit më parë.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera. Ndërkohë, Banka Qendrore vlerëson se rritja e edukimit financiar për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase dhe me kosto të ulëta përbën një ndër sfidat kryesore të këtij institucioni.
Tv Klan