Sipas njoftimit zyrtar që ka bërë Banka e Shqipërisë pak ditë më parë, pritet që më 15 Nëntor të dalë në qarkullim monedha e re 100 Lekëshe. I ftuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, përgjegjësi i sektorit të Bankës së Shqipërisë, Julind Gjipali ka dhënë detaje për sa i përket këtij ndryshimi.
Ai sqaroi se ndryshimet do të jenë kryesisht në pjesën e drejtshkrimit të monedhës 100 Lekëshe. Ndryshe nga emetimi i vitit 2000, emërimi i vitit 2023 do të zëvendësojë germën “e” me “ë”, për rrjedhore fjalën në trupin e monedhës metalike do të shkruhen, “Lekë”, “Mbretëresha”, “Shqipërisë”.
Julind Gjipali u shpreh gjithashtu se monedha ekzistuese nuk do të dalë nga qarkullimi, pra dhe 100 Lekëshi i vjetër dhe ai i riu do të jenë në treg.
Julind Gjipali, përgjegjës sektori në Bankën e Shqipërisë: Monedhat dhe kartëmonedhat normalisht prodhohen vazhdimisht sepse ose rriten në qarkullim dhe një pjesë zëvendësojnë ato që dëmtohen dhe tërhiqen nga qarkullimi. Në rastin e monedhës 100 Lekë, ky është i emetimi i dytë pas atij të parit që ka qenë në vitin 2000 dhe nuk janë emetuar monedhat të tjera të kësaj prerjeje, tashmë do të kemi në qarkullim një emetim të ri. Më duhet të sqaroj që nuk ka asnjë ndryshim thelbësor për sa i përket dizajnit të përgjithshëm, cilësive teknike, peshës, diametrit ose përbërjes. Është emetim i vitit 2023 dhe më këtë rast janë bërë disa korrigjime drejtshkrimore që kanë qenë të nevojshme në trupin e monedhës metalike. Janë bërë zëvendësimet me “ë”. I kemi pasur si defekte këto nga emetimi i vitit 2000.
Aldo: Tani në treg do të jenë të dyja monedhat e vjetra dhe e reja?
Julind Gjipali, përgjegjës sektori në Bankën e Shqipërisë: Po, patjetër! Njoftimi i datës 1 Nëntor i referohet këtyre cilësive të ndryshme që ka për sa i përket korrigjimeve në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj konfuzioni kur këto monedha të bien në duart e qytetarëve ose të profesionistëve që i përdorin. Të mos ketë konfuzion që nuk ka pasur një monedhë të tillë, mos është false, pra ky është objektivi kryesor./tvklan.al