“Kina dhe Rusia do bëjnë gjithçka për të nxitur përçarje”
Ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në SHBA, Gjenerali James Jones ka dhënë një mesazh për Tiranën zyrtare, teksa u ndal në ndërtimin e rrjetit 5G, duke i kujtuar liderëve të Shqipërisë që të vendosin se kujt duhet t’i besojnë.
“Ndërkohë që Shqipëria përgatitet për të azhornuar rrjetin 5G vitin e ardhshëm është e detyrueshme që liderët e saj të vendosin se kujt do t’i besojnë. Flas për angazhimin që Shqipëria duhet të ketë për të mbajtur rrjetin e saj të sigurtë për të garantuar që prioritet i 5G-së të jetë ai për standardet e sigurisë, angazhim që duhet ta aplikojë në çdo nivel, në mënyrë që të mbetet një anëtare aktive e aleancës.”
I ftuar në konferencën e organizuar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, me temë “NATO, Demokracia dhe Siguria përballë rreziqeve të avancimeve të shpejta të teknologjisë së informacionit”, Gjenerali Jones foli për rrezikun që Shqipërisë mund t’i kanoset nga një ndërhyrje e mundshme e Kinës apo Rusisë.
“Po përdoret teknologjia për të penetruar shoqëritë, për të tronditur opinionin publik, për të ndikuar tek zgjedhjet dhe për të bërë gjithçka munden, për të përçarë sa të munden. Rusia ka një Prodhim të Brendshëm Bruto sa shteti i Nju Jorkut, kështu që nuk do të jetë një lojtar global si Kina, por Rusia mund të jetë shumë përçarëse.”
Si ish-Komandat Suprem i Forcave të NATO-s në Europë, Gjenerali Jones nuk ndan të njëjtin qëndrim me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili ka folur për një vdekje klinike që NATO për përjeton.
“Jo, absolutisht nuk jam dakord me pikëpamjen e presidentit Makron. Në Francë kam jetuar 15 vite të jetës time, kur isha i ri. Unë e kuptoj historinë e Francës. E kam të vështirë ndonjëherë të kuptoj pse udhëheqësi francez thotë ato që thotë dhe ky është rasti konkret me të cilin nuk jam fare dakord. NATO është gjallë dhe me vlerë. Mbrojtja e Europës është një koncept i vlefshëm. Unë mendoj se njerëzit të Shqipëri me afërsinë ndaj Rusisë, e kuptojnë që ju keni nevojë për një aleancë energjike. Mbrojtja e Europës, sipas këndvështrimit tim nis tashmë në Detin e Zi, në vendet Baltike dhe Shtetet e Bashkuara janë një partner energjik i NATO-s. NATO do të lëvizë drejt një bote 5G dhe do të vazhdojmë të tregojmë që është zgjedhja më e mirë për lirinë, paqen, stabilitetin, veçanërisht në Europën Qendrore dhe lindore por edhe në Europën Perëndimore”.
Teksa kalimi i Shqipërisë në rrjetin 5G shihet nga Shtetet e Bashkuara si mundësi e artë për të ndërtuar një siguri më të madhe kibernetike, qeveria shqiptare ka deklaruar se do të mbajë të njëjtin qëndrim si partnerët e saj.
Tv Klan