Shërbimi Federal i Sigurisë ruse ka bërë të ditur se ka penguar disa komplote nga shërbimet e inteligjencës ukrainase për të vrarë oficerë të lartë rusë dhe familjet e tyre në Moskë duke përdorur bomba të fshehura.

Më 17 Dhjetor, u vra gjeneral Kirillov, shefi i forcave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, teksa po dilte nga banesa e tij.

Rusia deklaroi se ky krim ishte një sulm terrorist nga Ukraina, me të cilën ka qenë në luftë që nga Shkurti i vitit 2022, dhe u zotua për hakmarrje.

“Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse ka parandaluar një seri atentatesh ndaj personelit të lartë ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes”, thanë autoritetet ruse.

Katër shtetas rusë të përfshirë në përgatitjen e këtyre sulmeve janë arrestuar, thuhet në një deklaratë. Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse tha se shtetas rusë ishin rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase.

Një nga të arrestuarit mori një bombë të fshehur e cila do të lidhej me magnet në makinën e një prej zyrtarëve të lartë të ministrisë së Mbrojtjes. Një tjetër rus do të kryente një komplot ndaj zyrtarëve të lartë të mbrojtjes ruse që përfshinte vendosjen e një bombe në një dosje dokumentesh. Televizioni shtetëror rus tregoi pamjet e disa prej të dyshuarve që pranuan se ishin rekrutuar nga inteligjenca ukrainase për vrasjen e zyrtarëve ruse të mbrojtjes.

Data e saktë e sulmeve të planifikuara ishte e paqartë edhe pse një nga të dyshuarit tha se kishte marrë një bombë më 23 Dhjetor, sipas Shërbimit Federal të Sigurisë të Federatës Ruse. Moska e konsideron Ukrainën përgjegjëse për disa vrasje gjatë viteve të fundit.

Ndërkaq Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka cilësuar të tmerrshëm sulmin rus në ditën e Krishtlindjeve në rrjetin elektrik të Ukrainës, duke premtuar një rritje të dërgesave të armëve në Ukrainë.

Klan News