Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Demokratike nuk do të mbështesë projektligjin e pronave, i ndërtuar sipas variantit të qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komenton arsyet pse opozita është kundër këtij projektligji.

Sali Berisha: “Projektligji është dhunuar në zyrat e kryeministrisë, nuk është më ai që ka dalë nga OSBE dhe natyrisht ne nuk mund të pranojmë variantin e qeverisë”,

Ndër të tjera Berisha quan të dështuar procesin e negociatave në BE, pasi kryeministri Fatos Nano, deklaroi një ditë më parë, se Shqipëria do të jetë anëtare në BE me të drejta të plota në vitin 2015.

Sali Berisha: “Integrimi europian për shqiptarët dhe Shqipërinë ka hyrë në kalendat e Fatos Nanos, me këtë deklaratë, se Shqipëria do të anëtarësohet në vitin 2015. Ai kërkoi të dekurajojë, kërkoi të dëshpërojë, kërkoi të largojë shqiptarët nga Shqipëria, duke çuar drejt infinitit shpresën e madhe të tyre, ëndrrën e madhe europiane të tyre”.

Kryedemokrati kundërshton komentin e një analisti politik amerikan, se mbështetja e ndërkombëtarëve ndaj liderit të opozitës, Berisha ka qenë një zhgënjim.

Sali Berisha: “Ka pasur një mbështetje dhe ekziston një mbështetje e madhe ndërkombëtare për Berishën dhe PD, ç’është e vërteta dhe ajo është provuar në mënyrë konstante të vazhdueshme, siç e shihni ju”.

Berisha garanton shqiptarët, se procesi i integrimit do të jetë real me qeverisjen e demokratëve dhe është një nga motivet e lëvizjes “Nano ik”./tvklan.al