14 shoqëri tregtare, apartamente, vila dhe dyqane me vlerë rreth 50 milionë Euro janë sekuestruar nga Prokuroria dhe Policia e Tiranës. Këto pasuri janë në pronësi të Kristian Boçi, Elman Abule, Vladimir Avrami si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me ta. Bllokimi i tyre është bërë me vendim të gjykatës, pas hetimeve të prokurorisë së Tiranës dhe sektorit për hetimin e krimit ekonomik në policinë e kryeqytetit.
Kristian Boçi, bashkëshortja e tij Drilona Boçi, dhe katër persona të tjerë dyshohet se janë përfshirë në një skemë të pastrimit të parave, të Elman Abules, i cili rezulton i dënuar në Belgjikë për trafik droge.
Sipas prokurorisë Abule, ka themeluar një serë shoqërish tregtare me qëllim pastrimin e parave.
Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si shitje-blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anulimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditërisht del edhe garant i shumave të dhëna.
Ata dyshohet se kanë krijuar shoqëri fiktive për të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre. Një tjetër akuzë e prokurorisë është dhe krijimi i shoqërive me kuota të përbashkëta mes Elman Abule dhe Kristian Boçit, apo mes këtij të fundit dhe Ender Boçi, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë.
Më tej një prej aktiviteteve që ka ndihmuar në pastrimin e parave është dhe blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave. Elman Abule përveç se i dënuar në Belgjikë, sipas prokurorisë ekziston dyshimi se ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabandë me mallra të licencuara”.
Klan News