Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e deklaratës për të zhdukurit. Dakordësia është arritur në Bruksel pas një takimi ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës dhe atij të Serbisë me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak.

Pas takimit trepalësh kryenegociatori Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët.

“Tani mund të ecim perpara që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se pala serbe ka insistuar për formimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe, ndërsa ka shtuar se është hequr edhe pengesa e fundit në zbatimin e Deklaratës së Personave të Zhdukur.

“Kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do ta mbështesë grupin punues, i cili do të drejtohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.”

Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur ka thënë për TV Klan kryetari i komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti.

“Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.”

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për deklaratën për të zhdukurit para më shumë se një viti megjithatë kishte ngecje në zbatim. Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Tv Klan