Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër subjekteve dhe individëve izraelitë, për të cilët thanë se kanë lidhje me dhunën e ushtruar kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli.
Njëkohësisht, SHBA-ja i bëri thirrje qeverisë së Izraelit të ndërmarrë veprime për t’i mbajtur ata përgjegjës.
Washingtoni vendosi sanksione kundër tre individëve dhe pesë subjekteve izraelite, përfshirë kundër grupit të ekstremit të djathtë, Lehava.
Administrata e presidentit Joe Biden tha se pjesëtarët e Lehavas janë përfshirë në veprime të vazhdueshme të dhunës kundër palestinezëve.
Lehava e kundërshton asimilimin e hebrenjve me johebrenj, dhe bën agjitacion kundër arabëve në emër të fesë dhe të sigurisë kombëtare.
Themeluesi dhe lideri i këtij grupi, Ben-Zion Gopstein është futur kohë më parë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Edhe Britania e Madhe e ka goditur Lehavan me sanksione.
SHBA-ja vendosi sanksione edhe kundër katër posteve të paautorizuara në Bregun Perëndimor, për të cilat Departamenti i Shtetit tha se janë armatosur për dhunë, në mënyrë që t’i shpërngulin palestinezët, duke i prishur kullotat, duke e kufizuar qasjen në bunarët e ujit dhe duke kryer sulme të dhunshme ndaj fqinjëve palestinezë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga dhuna ekstremiste dhe mungesa e stabilitetit në Bregun Perëndimor, të cila e minojnë vetë sigurinë e Izraelit.
“Ne i bëjnë thirrje Qeverisë së Izraelitë të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për t’i mbajtur përgjegjës këta individë dhe këto subjekte. Në mungesë të hapave të tillë, ne do të vazhdojmë të vendosim masat tona”, tha ai.
Izraeli e okupoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1969. Palestinezët duan që Bregu Perëndimor të jetë në qendër të një shteti të tyre të pavarur.
Izraeli ka ndërtuar vendbanime hebraike atje, të cilat cilësohen si të jashtëligjshme nga shumica e vendeve të botës. Por, Izraeli e kundërshton këtë, dhe citon lidhjet historike dhe biblike me këtë tokë.
Në shkurt, administrata Biden tha se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar./REL