Një lokal në Fushë-Krujë u dëmtua pasi iu vendos lëndë plasëse. Ngjarja ndodhi rreth orës 1 e 30 të mëngjesit të së premtes në vendin e quajtur ish “Kooperativa Partizani”.
Lokali i “Brazili i vjetër” rezulton në pronësi të Bledar Talit. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar plotësisht fasada e jashtme e lokalit, ndërsa dëmtime janë shkaktuar edhe në brendësi ambienteve të biznesit.
Shpërthimi është filmuar nga kamerat e sigurisë, pamje për të cilat policia shpreson të bëjë identifikimin e autorit. Gjatë viteve të fundit biznesi ishte i mbyllur ndërsa së fundmi pronari po punonte për të rinisur aktivitetin.
Sipas burimeve të policisë, pronari i biznesit nuk rezulton person me precedent penal. Gjatë dëshmisë, ai deklaroi se nuk ka konflikte me njeri.
Blutë e Fushë-Krujës janë duke verifikuar ndonjë konflikt të mundshëm që pronari i lokalit mund të ketë patur, por edhe aktiviteti i tij jashtë vendit. Gjatë viteve të fundit, ai ka jetuar në Angli.
Klan News