“Byrek, byrek, o usta Murat” është një nga këngët më të famshme që i është dedikuar një kuzhinieri. Historia e tij vjen e rrëfyer për herë të parë në programin “Rudina” në Tv Klan nga mbesa, autorja Nexhi Baushi.

Sipas informacioneve, Murat Lama lindi në Shkup më  3 qershor 1912 ku jetoi derisa u martua. Bashkë me familjen, u vendos në Kavajë dhe nisi të ushtronte zanatin e kuzhinierit ku u shqua për shumëllojshmërinë e gatimeve dhe sigurisht, byrekun. Kënga e dedikuar atij është krijuar nga miku i ngushtë i Muratit, Sulejman Perçemi.

Nexhi Baushi: Sulejman Perçemi ishte  një poet popullor i Kavajës dhe duke qenë se në Kavajë vetëm dyqani i usta Muratit ishte një nga dyqanet më të preferuara se ai nuk ishte  vetëm kuzhinier, ishte edhe pastiçier, kishte edhe bulmetin, pati punishtet e tij, me pajisjet që kishte marrë nga Italia e perfeksionoi dhe gjithë ëmbëlsirat që bënte , ai i bënte sipas stilit italian, ndërsa kuzhinën e kishte ballkanase dhe me traditë të Shqipërisë. Ai për herë të parë solli asortimentin e byrekut në Kavajë nga Shkupi, meqenëse Shkupi ishte i dëgjuar për bërjen e këtyre byreqeve.

Mbesa e përshkruan usta Muratin si “trupgjatë, mjaft fisnik, me mustaqe”, tipar që spikat edhe në foton  që ajo ka sjellë. Sa i përket përputhjes me usta Muratin në këngë dhe kuzhinierin, ka mjaftueshëm detaje që e konfirmojnë. Por kjo këngë fillimisht e vendosi në siklet usta Muratin që u shpërngul  në Prizren.

Nexhi Baushi: Dyqani ka qenë në qendër, ashtu siç thotë kënga. Është përbri kinemaja që i thonë ‘sinemaja’ në atë kohë.

Rudina Magjistari: Po selvia? Se aty i thonë selvia dhe ne e lidhim me “Selvinë” e Tiranës.

Nexhi Baushi: Jo, aty ka qenë sahati, ka qenë një selvi dhe ka qenë edhe xhamia.

Rudina Magjistari: Ka pasur një selvi.

Nexhi Baushi: Ka pasur një selvi, por është e prerë. Ky ia nxori këngën, por nga dalja e kësaj kënge, ky ngaqë i vinte zor, ai ishte i punës, punonte nga ora 5 e mëngjesit deri në 10 të darkës dhe mendoi se ‘mos më mburrin mua kështu që më nxjerrin këtë këngën?’ Dhe u nis e shkoi në Prizren.

Në Prizren, kënga ‘e  përndoqi’ dhe usta Murati nisi të qeshte kur e dëgjoi. I pyetur për arsyen, ai tregoi se ai ishte personi që i ishte kushtuar kënga dhe e ndieu si detyrim që duhej të rikthehej në Kavajë e nuk u zhvendos më.

Kënga ka pësuar një ndryshim në një frazë pasi nuk është “më e mirë e ëma se e bija”, por “në punë e ëma dhe e bija”. Mbesa ndan edhe disa kujtime me dajën e saj.

Nexhi Baushi: Unë dajën e mbaj mend vetëm me atë grykësen e bardhë dhe përparësen e bardhë të pastër, shumë i dashur, kishte një humor të hollë, kishte një klientelë mjaft të zgjedhur, por edhe populli.  Ndihmonte shumë, sidomos në rastet e festave të Pashkëve apo Bajrami, ai falte. Ka hapur edhe një punishte për qumështin që furnizonte gjithë qytetin me qumësht dhe artikuj të tjerë si kosi dhe gjalpi./tvklan.al