Në Gjenevë të Zvicrës po zhvillohen një sërë eksperimentesh, që mund të sjellin një “gjeneratë të re të makinerive të radioterapisë”. Ekziston shpresa që këto pajisje do të mund të kurojnë tumore komplekse në tru apo ato që prekin organe të mëdha në trup. Këto trajtime po analizohen në Laboratorin Evropian për Fizikën e Grimcave. Bëhet fjalë për pajisjet “FLASH” që shpërndajnë rrezatimin në më pak se një sekondë, që nuk shkakton efekte anësore e njëkohësisht mundëson shkatërrimin e qelizave malinje.
Gjithçka u iniciua 11 vjet më parë, kur radiologia e njohur Marie-Catherine Vozenin bashkë me kolegë të tjerë botuan një punim ku flitej pikërisht për trajtimin me radioterapi, të cilin e quajtën “FLASH”. Sipas tyre, ky rrezatim në doza të larta, por që zgjat më pak se një sekondë, mund të shkatërronte tumoret tek brejtësit, pa prekur indet e shëndetshme. Ky ishte zbulim mjaft i rëndësishëm që në fakt nxiti radiologët në mbarë botën të vijonin me të njëjtat eksperimente për të trajtuar tumoret tek brejtësit, kafshët shtëpiake e së fundmi tek njerëzit.
E vërteta është se në terapitë më të zakonshme të kancerit, ekspozimi ndaj rrezve “X” ka qenë nga dy deri në pesë minuta e madje shpesh doza totale është dhënë në dhjetëra seanca, deri në tetë javë. Megjithatë, efekte anësore janë të shumta e madje vdekjeprurëse! Përshembull, tumori tek truri i fëmijëve mund të kurohet më lehtësisht me radioterapi, por ata që mbijetojnë mbeten me ankth dhe kalojnë faza depresioni përgjatë jetës, e po ashtu humbet një pjesë e madhe e IQ-së.
Po në rast se tumoret janë në vëllime të mëdha?
Këtu terapia has akoma më shumë vështirësi, sepse ato mezi dallohen nga indet përreth. Kështu bëhet thuajse e pamundur të mos dëmtosh qeliza të shëndetshme.
Forma më preçize aktuale e radioterapisë është terapia me jone karboni, por janë 14 pajisje në të gjithë botën që e ofrojnë e që koston e kanë deri në 122 milion euro. Këto pajisje e shpërndajnë rrezatimin në pak minuta.
Besohet se makineritë “FLASH” do luftojnë edhe formën më të zakonshme të kancerit në tru që është glioblastoma, me normë mbijetese vetëm 5%.
/tvklan.al