Qindra banorë të Shkodrës, personalitete të pushtetit vendor, politikanë, njerëz të sportit i dhanë lamtumirën e fundit legjendës së futbollit Sabah Bizi.

Homazhet në nderim të tij u mbajtën në stadiumin “Loro Boriçi” aty ku për vite me radhë ai elektrizoi mijëra tifozë të Vllaznisë me paraqitjet e tij fantastike.

Bashkëkohës dhe veteranë të futbollit në Shkodër kujtuan Sabah Bizin në këtë ditë të trishtë të përcjelljes së tij në banesën e fundit.

Për Presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, Shkodra humbi një person shumëplanësh jo vetëm në sport por në të gjitha sferat një model për brezin e ri, ndërkohë që propozoi që katër tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” të mbajnë emrat e katër korifejve të futbollit, Mehdi Zhega, Ramazan Rragami, Sabah Bizi dhe Paulin Ndoja.

I pranishëm në homazhet që u mbajtën në Shkodër krah emrave të njohur të sportit ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, i cili shprehu ngushëllimet për familjen Bizi dhe për të gjithë botën e futbollit për këtë humbje të madhe dhe emër që do të shkruhet me germa të arta në historinë e futbollit shqiptar

Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i disa klubeve në Shqipëri, “Nderi i Kombit” Sabah Bizi mbylli sytë këtë të enjte në Shkodër në moshën 77-vjeçare.

I spikatur si mesfushor, Bizi ishte pjesë e asaj kategorie futbollistësh që të bënte për vete me forcën dhe elegancën në mendim e këmbë, që përkthehej në siguri për shokët e skuadrës.

Shkodra humbet një ikonë të futbollit, kontributi i të cilit do të mbahet mend në breza.

Klan News