Kancelari gjerman Olaf Scholz ka kritikuar miliarderin amerikan Elon Musk se po kërcënon demokracinë evropiane me sulmet e tij ndaj liderëve politikë dhe mbështetjen e hapur që po jep për të djathtën ekstreme.
“Ai mbështet të djathtën ekstreme kudo në Evropë, në Mbretërinë e Bashkuar, në Gjermani, në shumë e shumë vende të tjera dhe kjo është diçka krejtësisht e papranueshme. Kjo gjë po rrezikon zhvillimin demokratik të Evropës, rrezikon komunitetin tonë. Mbështetja e tij për ekstremin e djathtë, qoftë për interesa biznesi apo për arsye që kanë të bëjnë me pikëpamjet e tij politike, është i papranueshëm”, tha Olaf Scholz.
Musk, ndër njerëzit më të pasur në botë, ka sulmuar hapur kohët e fundit një sërë liderësh në të gjithë Evropën, duke përfshirë Scholz dhe Kryeministrin britanik Keir Starmer.
Miliarderi ka shprehur mbështetjen e tij për Alternativën për Gjermaninë përpara zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani më 23 Shkurt. Dhjetra ligjvënës të BE-së thanë këtë javë se ishin të shqetësuar për ndërhyrjen e Musk në politikën evropiane në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Scholz, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin suedez Ulf Kristersson, përshëndeti armëpushimin e shpallur për Gazën dhe tha se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë ndihmën e saj për Ukrainën pasi Donald Trump të inaugurohet si president.
Klan News