Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i bëri thirrje kreut të PDI-së Tahir Muhedini, që të bashkohen në emër të idealit të madh që bashkon këto dy parti.

Duke folur me simpatizantë të PDU-së në Delvinë, Idrizi tha se ato që bashkojnë këto 2 parti janë shumë herë më të rëndësishme se ato që i ndajnë.

Shpëtim Idrizi: “Gjej rastin që nga kjo tribunë ti bëj një thirrje publike Tahir Muhedinit që të bashkohemi ato që na ndajnë ne shumë më të vogla përpara idealit tonë të madh, amanetit i të parëve që ne duhet të na bashkojë. Unë jam i bindur që ai do ti përgjigjet kësaj thirrje dhe shumë shpejt ne do të jemi të gjithë bashke”.

Idrizi deklaroi se do të punojë për bashkimin e komunitetit çam dhe të gjithë atyre që ka në qendër të vëmendjes çështjen kombëtare pavarësisht bindjeve politike.

Shpëtim Idrizi: “Ne do të punojmë pa u lodhur që komuniteti jonë të bashkohet me … unitet si mbrojtësi i interesave të tyre. E majta dhe e djathta kanë shumë çështje për tu marrë, për tu zgjidhur. Ne kemi 20 vjet që presim zgjidhje, sigurisht që ne i falënderojmë për ndonjë përparim që ata kanë bërë. Por vëllezër dhe motra ne nuk presim më. Ne do ta marrim vetë në dorë fatin tonë dhe ja ku jemi të gjithë bashkë për ta bërë këtë”.

Në ditët në vijim PDU do të zhvillojë tubime në qytete të tjera të vendit duke nisur nga Saranda./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro