Ish-deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, tashmë në postin e kreut të Partisë për Drejtësi dhe Unitet është betuar në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit.

Përpara 75 deputetëve që tashmë kanë zënë karriget në Kuvend, zoti Idrizi e ka nisur fjalimin e tij me një thirrje drejtuar opozitës, duke i ftuar këta të fundit që të kthehen në parlament.

 Shpëtim Idrizi: “Nuk mund ta injoroja në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet. Vendi i opozitës është në parlament për të përmbushur detyrën e saj të kontrollit dhe të oponencës mbi qeverinë. Do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke iu shmangur komunikimit në distancë nga foltoret e mediave.”

Për kreun e Partisë Drejtësi dhe Unitet, çështja kombëtare dhe ajo çame në veçanti janë në qendër të platformës së këtij formacioni të ri politik në vend.

Shpëtim Idrizi: “Ne do të ndërmarrim nismën për ti propozuar këtij parlamenti të nderuar miratimin e një rezolute për çështjen çame. Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie që të kujdeset dhe të vendosë një lapidar përkujtimor në varrezat e fshatit …, ku dergjen eshtrat e 2600 çamëve. Ne i kërkojmë publikisht kësaj qeverie dhe veçanërisht ministrit të kulturës të akordoj fonde për shtëpinë muze të njërit prej dijetarëve më të shquar dhe patriot të Rilindjes kombëtare shqiptare me origjinë çame Hasan Tasini. Interesi kombëtar është para së gjithash në këtë moment përshpejtimi i integrimit evropian dhe ne do të votojmë pro të gjithë atyre ligjeve që e përshpejtojnë integrimin.”

Sipas zotit Idrizi për zgjidhjen e problemit çam, partia e kryesuar prej tij do të ndërmarrë hapa konkrete që synojnë të nxisin diplomacinë shqiptare në mënyrë që kjo e fundit të negociojë amendimet e ligjit grek të vitit 1980 që do të lejonte riatdhesim në Greqi të popullsisë çame, përfshi këtu dhe të drejtën e patjetërsueshme për pronën e këtij komuniteti.

Partia për Drejtësi dhe Unitet  përfaqësohet në parlament me deputetin Dashamir Tahiri dhe kreun e këtij formacioni politik, Shpëtim Idrizi./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro