Plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kaltër dhe temperatura tropikale, nuk është çudi që Maldivet janë një nga destinacionet më të dëshirueshme të pushimeve në botë, shkruan Ellie Hutchings në një artikull të botuar në gazetën britanike “Metro”. Por, thekson ajo, destinacionet të tilla parajse kushtojnë.

Ndaj gazeta “Metro” u rekomandon lexuesve të saj destinacionet më të mira, të ngjashme me Maldivet, perfekte për turistët që kërkojnë çmime të përballueshme e që nuk bëjnë kompromis me bukurinë.

Nga brigjet evropiane te ishujt e largët, këto arratisje ofrojnë pamje spektakolare me kosto më të ulëta se Maldivet. Një prej këtyre destinaconeve është edhe Shqipëria, që sipas kësaj gazete është quajtur “Maldivet e Evropës”, falë plazheve me rërë të bardhë dhe ujërave pastra kristal përgjatë Rivierës së saj.

Vendi i vogël mesdhetar po zbulohet nga një numër në rritje turistësh që po vërshojnë në rajon. Akomodimi luksoz është i disponueshëm me një kosto të përballueshme, krahasuar me vendpushimet e njohura evropiane. Apartamentet buzë plazhit mund të merren me qira për më pak se 20 paund nata, ndërsa një vakt i plotë me pije kushton rreth 15 paund.

Fluturimet për në Shqipëri janë gjithashtu jashtëzakonisht të përballueshme. E zbuluar përmes videove në TikTok me ujërat e kristalta dhe rërën e bardhë të ndritshme, Shqipëria ofron një shije të stilit të jetesës së Maldiveve, një klimë mesdhetare me temperatura maksimale prej 30 gradë Celcius gjatë muajve të verës.

Riviera Shqiptare është gjithashtu shtëpia e produkteve të shkëlqyera të detit dhe e shumë siteve kulturore, si vendbanimi historik i Linit, që thuhet se është fshati më i vjetër i banuar i Evropës dhe Gjirokastra, një qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Për të shijuar perëndimin e bukur të diellit mbi detin Jon, vizitoni Kalanë e Lëkurësit pranë Sarandës, ku mund të zbuloni pamjen e bukur të qytetit.

Shqipëria renditet mes 5 destinacionave më të bukura sipas “Metro”, Maltës, Tajlandës, Balit në Indonezi dhe Korfuzit në Greqi.

Klan News