Dy persona, Darin Gezdari 34 vjeç dhe Arlinda Marku 41 vjeçe, u ndaluan gjatë finalizimit të operacionit ‘Cost to cost’ pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Kjo e fundit i ishte drejtuar gjykatës pasi dyshon se nëpërmjet një skeme mashtrimi arritën të transferojnë përgjatë dy viteve nga kompani guaskë jashtë vendit drejt një kompanie shqiptare rreth 11 milionë Euro.
Në hetim kanë marrë pjesë Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Policisë Tiranë dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.
Dy personat e ndaluar dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Gjibraltar, Maltë, etj.
Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez.
“I gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale”, njoftoi prokuroria.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara dyshohet se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj të lidhur me këtë aktivitet kriminal. Prokuroria thotë se po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre./tvklan.al