Ardian Ismajli dhuroi një tjetër performancë fenomenale me Empolin. Me shiritin e kapitenit në krah, mbrojtësi ishte tepër solid në qendër, duke neutralizuar sulmet e kundërshtarëve në barazimin 1-1 ndaj Udineze.
Ndeshje që vlejti jo pak për skuadrën toskane, duke qenë edhe ndër më të mirët në fushën e lojës. Performancë e vlerësuar maksimalisht nga ana e mediave italiane, të cilët japin notën 7 për Ismajlin.
“Në zemër të mbrojtjes qëndron si lider i heshtur por efektiv. Aftësia e tij për të lexuar paraprakisht situata të rrezikshme i lejon ekipit të ruajë gjithmonë ekuilibrin e nevojshëm mbrojtës. Menaxhon repartin me autoritet”, është përshkrimi për lojën e mbrojtësit shqiptar ndaj Udinezes.
Ecuria e Ismajlit ka tërhequr vëmendjen edhe të skuadrave BIG të Serie A. Inter, Juventus dhe së fundmi Napoli kanë shfaqur interes për të firmosur me 28-vjeçarin, në skadencë kontrate në fund të sezonit.
Empoli kërkon të përfitojë financiarisht nga largimi i tij, me muajin Janar që do të jetë tepër vendimtar për fatin e shqiptarit. Shkëlqeu edhe Ylber Ramadani, në fitoren që Leçe regjistroi në transfertën e Venezias. Mesfushori u vlerësua me notën 6.5 dhe qëndroi në fushë për 84 minuta.
Klan News