Pushohet çështja gjyqësore lidhur me akuzat ndaj Donald Trumpit për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Gjykatësja Tanya Chutkan pranoi kërkesën e Jack Smith vetëm disa orë pasi ai tha se po kërkon të mbyllë çështjen e Trump sepse ndalohet ndjekja penale e një presidenti në detyrë.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, prokurorët shprehen se sipas Departamentit të Drejtësisë, kushtetuta kërkon që kjo çështje të mbyllet përpara se i pandehuri të fillojë detyrën. Ndaj ky rast duhet të pushohet përpara 20 Janarit, betimit të Trump si President i Shba-së.

Smith mori detyrën nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland në nëntor 2022 pasi Trump njoftoi se do të garonte për Shtëpinë e Bardhë.

Ai mori përsipër dy hetime , njëra e fokusuar në keqpërdorimin e të dhënave të klasifikuara dhe tjetra e lidhur me zgjedhjet e vitit 2020. Edhe për çështjen e parë pritet që po ashtu të kërkohet pushimi i çështjes.

Ky vendim është një fitore e madhe ligjore për presidentin e zgjedhur republikan, i cili do të kthehet në detyrë më 20 janar.

Në një postim me herët në rrjetet sociale, Donald Trump kritikoi çështjet ligjore ndaj tij, duke thënë se ato ishin një “pikë e ulët në historinë e vendit tonë”.

Klan News