Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Toena”, një nga shtëpitë botuese më të mëdha në vendin tonë, ka festuar së fundmi 10 vjetorin e krijimit të saj. Me këtë rast drejtuesit e saj kanë organizuar një ceremoni festive në ambientet e hotel Rogner, ku kanë marrë pjesë shkrimtarë të njohur shqiptarë, publicistë, gazetarë, politikanë dhe artistë.

Shtëpia botuese “Toena”, e ka nisur veprimtarinë e saj më datën 3 Janar të vitit 1993, me një staf modest prej tre punonjësish. Në organikën e saj kjo shtëpi botuese numëron sot 30 punonjës dhe një rreth mjaft të gjerë bashkëpunëtorësh brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë që nga fillimi i saj ajo ka botuar rreth 1200 tituj, ku përfshihen libra, me karakter shkencor dhe universitar, libra informativ, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë, manuale, si dhe letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj.

Numri i autorëve shqiptarë që janë botuar nga “Toena” arrin në 560. Ndërsa autorët e huaj 120. Madje një nga personalitetet e shquara të letërsisë shqipe, Rexhep Qosja, i ka dhënë të drejtën ekskluzive të botimit të veprave të tij të kësaj shtëpie botuese, e cila ndër të tjera ka edhe të drejtën e botimit në gjuhën shqipe të shkrimtarit më të shitur në botë Paulo Coelho./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora