Një nga momentet më të lumtura në jetë iu shkatërrua nga një veprim. Kjo është historia e futbollistes spanjolle, Jenni Hermoso, e cila në Gusht të vitit 2023 fitoi me Spanjën Kupën e Botës për femra. Por gjithçka u prish nga Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, i cili e puthi në buzë teksa festonin.

47-vjeçari akuzohet për sulm seksual si dhe kanosje mbi pretendimet se u përpoq të bënte presion mbi Hermoson se puthja në buzë ishte e kryer me konsensus. Nëse dënohet, Rubiales, i cili u dorëhoq si president i federatës një muaj pas incidentit, mund të përballet me dy vite e gjysmë burg.

Hermoso foli para gjykatës dhe tha se nuk ka rënë kurrë dakord me Rubiales që ai ta puthte.

“Ai vendosi duart mbi veshët e mi dhe më puthi në gojë. Ndjeva se ishte diçka pa vend dhe kuptova se shefi im po më puthte dhe kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë vend. U ndjeva e parespektuar. Një nga ditët e mia më të lumtura në jetë u njollos dhe mendoj se është shumë e rëndësishme për mua të them që nuk kërkova kurrë, e jo më të prisja që ajo gjë do të ndodhte. Mendoj personalisht se ishte mungesë respekti”, tha futbollistja 34-vjeçare.

Aktualisht ajo luan për Tigres në Meksikë. Hermoso tha se pas fitores iu kërkua të zbriste nga autobusi në aeroport dhe iu tregua një deklaratë që ishte shkruar në emër të saj nga federata.

“E pashë dhe nuk doja ta dija çfarë thuhej. E dija që nuk kisha shkruar asnjë gërmë të saj sepse askush nuk më kishte pyetur. Ishte një deklaratë që supozohej të ishte shkruar nga unë. Thuhej se unë dhe Luis Rubiales ishim miq të mirë dhe se e gjitha kishte ndodhur nga gëzimi i momentit”, tha ajo.

Para gjykatës, futbollistja tregoi se kjo deklaratë e bëri të ndihej sikur po merrte pjesë në diçka që donte.

“E them përsëri, në asnjë moment nuk kërkova që diçka e tillë të ndodhte”, tha ajo.

Hermoso u shpreh se askush nga federata nuk i ka kërkuar falje.

“Askush nuk erdhi të më pyeste si isha. U ndjeva e pambrojtur nga federata sepse duhet të ishte vendi im i sigurt. Ishte futbolliste e vendit të tyre dhe askush nuk më pyeti nëse kisha nevojë për diçka”, tha ajo.

Pas rastit, Hermoso thotë se jeta i ka ndryshuar tërësisht. Po ashtu shprehet se ka marrë kërcënime me vdekje. Ndërsa nga ana tjetër Rubiales mohon akuzat dhe është betuar që të pastrojë emrin e tij.

“Besoj në të vërtetën dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që ta bëj këtë gjë të prevalojë”, tha ai kur u tërhoq nga federata.

Në gjyq për rolin e dyshuar se kanë ushtruar presion ndaj futbollistes janë edhe ish trajneri Jorge Vilda, ish-drejtori sportiv i federatës, Albert Luque dhe ish-shefi i marketingut Ruben Rivera. Të tre i mohojnë akuzat. Gjyqi, që është parashikuar të zgjasë tre javë, vijon. /tvklan.al