Izmir Smajlaj e mbylli në vendin e gjashtë garën në Kampionatin Europian të Atletikës që po zhvillohet në Berlin, por për sportistin e kërcimit së gjati rezultati i tij është manipuluar.
Smajlaj thotë për Tv Klan se kjo ka ndodhur në një nga provat në garën finale dhe për këtë është informuar edhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Izmir Smajlaj ka publikuar një video dhe një foto të kërcimit të tij në Facebook.
“Më vjen keq që në Gjermani bëhen manipulime rezultatesh ku u pa dukshëm që kërceva mbi 8 metra. Unë kërkova rezultatin tim ashtu siç shikohet edhe në video. Denoncimi është bërë në institucionet më të larta nga unë dhe Federata e Atletikës. Shpresoj që të zgjihdet sa më shpejt e vërteta, e nëse jo do ta vazhdoj në procese gjyqësore.”
Izmir Smajlaj thotë se në këtë mënyrë është dëmtuar moralisht për të qenë në zonën e medaljeve. Smajlaj është kampion në fuqi i Europës në salla të mbyllura sukses që e arriti në Beograd vitin e kaluar. Nga sportistët shqiptarë duhet të garojë në Kampionatin Europian edhe Luiza Gega, e cila të premten do të zhvillojë garën kualifikuese në 3 000 metra me pengesa.
Tv Klan