3 milionë Euro pasuri e përbërë nga apartamente, njësi shërbimi dhe makina, të dyshuara në pronësi të ish drejtorit të Operacionales, Oltion Bistri, u sekuestruan me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Kjo e fundit pranoi kërkesën e SPAK për të bllokuar këto pasuri, me dyshimet se nuk justifikohen prej familjarëve dhe ish-drejtorit, si dhe kanë burim përfshirjen në aktivitet të paligjshëm të tij.
Me anë të një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka bllokuar 18 njësi, të përshtatura për dyqane dhe ambiente të tjera biznesi, në emër të familjarëve të Bistrit. 10 apartamente, 1 vilë, 1 truall dhe një makinë.
Të gjitha pronat ndodhen në kryeqytet, në zona si rruga e Kavajës, rruga e Kosovarëve, Selitë dhe zona të tjera.
Bistri po qëndron në qeli pasi u arrestua në kuadër të dosjes së ashtuquajtur Metamorfoza, ku nga komunikimet në rrjetin Sky, doli se kishte kontakte dhe dyshohet se favorizonte biznesmenin Pëllumb Gjoka, edhe ky i arrestuar.
SPAK thotë zyrtarisht se indiciet për përfshirjen e Oltian Bistrit në aktivitet kriminal kanë qenë që prej vitit 2016, megjithatë deri në kohën kur u arrestua mori detyra të rëndësishme në Policinë e Shtetit.
Tv Klan