Të udhëtosh përgjatë superstradës në ndërtim Korçë-Pogradec, jo vetëm që është e vështirë, por madje edhe e rrezikshme. Mungesa e sinjalistikës në pjesën më të madhe të gjatësisë së këtij segmenti prej 22 kilometrash është shqetësimi i drejtuesve të automjeteve. Por edhe burim aksidentesh.
Situata është rënduar, sidomos gjatë kësaj periudhe, kur ardhja e emigrantëve e ka rritur ndjeshëm trafikun.
“As nuk diskutohet që është bërë vështirë rruga s’ka sinjalistikë s’ka si ndodh.”
“Po e rrezikshme tani, po të mos kesh kujdes ha edhe kokën.”
“Bëhet shumë problem ky trafik i rëndë këtu dhe rruga është shumë e keqe dhe nuk ka sinjalizime.”
Ndërsa po të udhëtosh natën dhe të mos e njohësh rrugën duhet të kesh kujdes, por edhe fat, që të mos përplasesh me grumbujt e materialeve të ndërtimit të lëna në anë të rrugës dhe të pa rrethuar me shirita të dallueshëm.
Si të mos mjaftonin të gjitha këto, nuk mungojnë edhe shtyllat elektrike në mes të rrugës, të cilat nuk dihet se kur do të zhvendosen që aty. Kjo rrugë mbetet problematike edhe për policinë e qarkullimit rrugor.
Adriatik Huti: “Sinjalistikë ka, por duhet të jetë në nivelin e parametrave më të lartë. Kryesisht lotet 3, 4 janë pak më të vakëta në këtë drejtim. Megjithatë këtu kemi insistuar më shumë dhe me lotin 2, loti 2 i vendosi.”
Superstrada Korçë-Pogradec është një investim prej 22 milion euro dhe pritet të përfundojë në fund të muajit dhjetor./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi