Dhjetë fshatra që përshkohen nga superstrada e re që do të lidhë Korçën me Pogradecin vuajnë muajt e fundit ndotjen e lartë që shkaktohet si pasojë e punimeve të hapura në rrugë.
Re të dendura pluhuri mbulojnë gjatë ditës zonën e banuar duke krijuar një situatë tejet të rënduar mjedisore.
Pasojat më të rënda i vuajnë banorët e këtyre fshatrave, të cilët përveç dëmtimit të kulturave bujqësore, tashmë janë në rrezik edhe për shëndetin e tyre.
“Ka ca ditë ca fëmijë na u sëmurën nga pluhuri këtu. Asnjë nuk merr masë për t’i lagur këto rrugë komplet”.
“Ca është vapë, ca tymi edhe farmakosemi”.
“Më keq nuk ka ku të vejë. Tërë ky tymi në mushkëritë tona vete. Çfarë t’ju bësh? As i spërkat dot me ilaç as iç”.
“Gjithmonë grilat rrinë të mbyllura plotësisht për shkak se nuk i hap dot se të gjitha dhe mobiliet e shtëpisë të gjitha janë të mbytura nga pluhuri.”
Ndërkaq drejtuesit e mjeteve thonë se shkak i kësaj gjendjeje është mos lagia e rrugës nga firmat zbatuese që përveç të tjerash sjell edhe vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve.
“As rrugë laget, asgjë. Ja tërë tymin neve po e hamë. Unë se kam parë një herë të laget. Vetëm andej nga bëjnë punimet”.
“Ç’të të them unë? Skëterrë. Është mizerje fare kjo rruga këtu. Këta s’punojnë fare”.
“Ata e lagin vetë, madje ku punojnë vetë. Pjesët e tjera nuk laget fare”.
Agjencia rajonale e mjedisit u ka kërkuar disa herë firmave zbatuese të projektit që të lagin rrugën në mënyrë të vazhdueshme, por situata ka mbetur e pandryshuar edhe pse ndaj tyre janë vendosur sanksione me gjoba.
Paqësor Cane: “Kemi thirrur firmat dhe ata kanë marrë masat për të lagur me ujë këtë rrugë, mirëpo temperaturat e larta si dhe shpejtësia pa kufi e makinave bën që ajo, nuk arrin atë shkallën e duhur për t’u minimizuar”.
Banorët e këtyre fshatrave shpresojnë se situata mund të përmirësohet vetëm kur të ndryshojnë kushtet e motit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle