Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, përmes një konference për shtyp ditën e sotme ka treguar se nga projektbuxheti i vitit 2021 ka dy lajme, një të mirë dhe një të keq. Lajmi i keq është se buxheti është mashtrim elektoral, por sipas Tabakut, lajmi i mirë është që ky buxhet është i fundit që bën qeveria Rama.

“Treguesit e siguruar nga vetë qeveria pohojnë se:

•             Vendi është në rënie ekonomike prej 6,1%. Por sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kjo shkon deri në 9%.

•             Konsumi i qytetarëve është me rënie me 7.5 %.

•             Ndërkohë që investimet totale në vend kanë rënë me 13% duke treguar ngërçin e madh që ka ekonomia shqiptare”, tha Tabaku.

Sipas saj, buxheti po rritet dhe ka arritur shifre rekord të 97%.

“Merret borxh për të paguar faturat korruptive të koncesioneve, merret borxh për të shlyer tenderat me çmime të fryra të rrugëve, që qeveritarët të kenë mundësi të vjedhin. Merret borxh për rroga, merret borxh për pensione, sepse kjo qeveri as nuk di, as nuk e do mirëqenien e shqiptarëve.  Buxheti i fundit i Edi Ramës konfirmon politikën e tij 8 vjeçare kundër interesit publik, në shërbim të oligarkëve dhe klientelës së tij. Prioritet madhor për qeverinë janë pagesat për koncesionet që vjedhin shqiptarët dhe çojnë taksat e tyre në parajsat fiskale.  Ky është buxheti i mafias së plehrave, që do të vazhdojë të paguhet qindra milionë lekë për inceneratorë që nuk ekzistojnë. Buxheti nuk ofron as më shumë investime në infrastrukturë, as më shumë buxhet në arsim, as më shumë investime në arsim dhe as më shumë investime në bujqësi”, tha Tabaku.

Tabaku tha se vitin e ardhshëm do të rinisin 7 koncesione të tjera.

“Të vetmit të kënaqur nga ky buxhet sigurisht janë ata që marrin tendera, tarafet e interesave dhe ato që fshihen pas skemave kriminale të PPP-ve, janë ata që bëjnë inceneratorët, janë ata të cilët edhe sot vazhdojnë dhe marrin pagesa përditë, ashtu sikurse tregohet me inceneratorin e Tiranës me kosto të fryra, të cilat vlera e të trejave shkon 20 milionë euro nga 11 milionë euro që ishte këtë vit”, tha Tabaku. /tvklan.al