Aktiviteti “Takimet muzikore të dy botëve”, në edicionin e15-të shfaqi një koncert të muzikës klasike në mjediset e kalasë së Gjirokastrës. Violinisti i mirënjohur Pjetër Guralumi interpretoi për artdashësit dhe turistët e pranishëm suitat e Bach-ut. Aktivitete të tilla shërbejnë jo vetëm për gjallërimin e jetës artistike në qytetin e gurtë, por rijetëzojnë edhe monumentet e kulturës.
“Jemi munduar në një mënyrë të gjejmë lidhje me antikitetin, me muzikën një ndërthurje ku t’i sillnim monumentet apo t’i rijetëzonim ato edhe me mënyra të tjera duke gjetur rrugë të tjera për të promovuar historinë dhe trashëgiminë kulturore”, shprehet Ilda Mara, organizatore.
“Gjirokastra ka mundësi të prezantohet me botën edhe nëpërmjet kulturës muzikore, nëpërmjet aktiviteteve koncertore. Jam shumë i impresionuar nga mikpritja këtu në kalanë e qytetit. Publiku e priti mjaft mirë gjithë performancën dhe shpresoj që sërish të rikthehemi këtu”, thotë instrumentisti Pjetër Guralumi.
Përgjatë sezonit të vjeshtës komplekset muzealë dhe monumentet e kulturës në Gjirokastër po shërbejnë si skena artistike për organizimin e eventeve kulturore. Aktivitete të tilla tërheqin edhe interesimin e turistëve që vazhdojnë të vizitojnë qytetin e gurtë.
Klan News