Akademia e Arteve ka hapur dyert kësaj jave për një tjetër koncert, pas suksesit të arritur me bashkëpunimin franko-shqiptar në Kameratën e Tiranës.

Mbasditen e së enjtes kanë performuar për një orë pianistja shqiptare, Almira Emiri, dhe flautistja hungareze, Lilla Szucs, një aktivitet ky i zhvilluar në kuadër të edicionit të 9-të të sezonit koncertor ndërkombëtar të muzikës klasike. 

Pjetër Guralumi: “Në këto vitet e fundit neve kemi tentuar që të integrojmë sa më tepër artistë shqiptarë brenda këtyre bashkëpunimeve edhe me artistë të huaj. Në një farë mënyre është krenari jo vetëm e klasës së pianos shqiptare, por është krenari edhe për artin dhe kulturën shqiptare”.

Kalendari pesë mujor i sezoneve koncertore përmban shfaqje të ndryshme të muzikantëve nga shumë vende të botës si Franca, Italia,  Gjermania, Shqipëria, Spanja, etj.

Për publikun kjo duo shqiptaro-hungareze do të performojë edhe mbrëmjen e sotme në orën 19:00./tvklan.al