Pas publikimit nga “The New York Times” se djali i madh i Donald Trump është takuar gjatë fushatës me përfaqësues të qeverisë ruse, djali i presidentit amerikan konfirmon takimin përmes një korrespondence e-mail të publikuar në rrjetet sociale. Në këtë korrespondencë është biseda e plotë mes Donald Trump Jr. dhe gazetarit britanik Rob Goldstone, i cili shërben si ndërmjetës mes palëve.

Sipas fotove të publikuara nga djali i Trump, Goldstone i thotë atij se persona të lidhur me Kremlinin kanë informacione të rëndësishme që do të dëmtonin kandidaten demokrate Hillari Klinton.

Trump Jr. pranoi t’i takonte ata, në praninë e dhëndrit të presidentit Jared Kushner dhe ish-kreut të fushatës Paul Manafort. Më pas Trump Jr. sqaroi se në këtë takim nuk ishin dhënë informacione për rivalen e babait të tij.

Në bisedën me djalin e presidentit Trump, ndërmjetësi i rusëve shkruan se këto informacione jepen në shenjë të mbështetjes së Moskës për presidentin Trump.

Qëkurse ka ardhur në krye të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump është akuzuar vazhdimisht për lidhje me Rusinë. Ai i ka quajtur këto akuza si lajme të rreme. Ky është rasti i parë që një person pranë presidentit Trump pranon se ka takuar një delegacion rus gjatë fushatës. Edhe Rusia i ka mohuar fort akuzat për përfshirje në zgjedhjet amerikane, por dy nënkomitete të kongresit dhe FBI po hetojnë çështjen që konsiderohet si skandali me i madh në SHBA pas atij te Watergate.

/Tv Klan