Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit të acartë.
“Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump në rrjetin e tij social, Truth Social.
Gjatë përgatitjeve, si alternativë për çdo inaugurim gjithmonë merren masat që presidenti i zgjedhur ta bëjë betimin në ambientet e brendshme në rast të kushteve të këqija atmosferike.
Kjo do të jetë hera e parë në 40 vitet e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda ndërtesës. Hera e fundit kur një president e ka bërë betimin në ambientet e brendshme ka qenë viti 1985, kur Presidenti Ronald Reagan filloi mandatin e tij të dytë. Gjate inaugurimit të tij temperaturat u ulën në -14 gradë Celsius.
Trump tha se mbështetësit mund ta shikojnë ceremoninë në ekrane brenda Capital One Arena, një arenë sportive në qendër të Uashingtonit që ka kapacitet prej 20.000 ulësesh. Parada e tij presidenciale, e cila ishte planifikuar të përfshinte bandë muzikore dhe grupe të tjera që do të kalonin pranë Shtëpisë së Bardhë, do të zhvendoset brenda Capital One Arena.
Nuk është e qartë ende se si do të zhvillohet një paradë brenda arenës sportive. Ndërsa Presidenti Trump ka premtuar se do t’i bashkohet turmës në arenën sportive pasi ta marrë zyrtarisht detyrën.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar se temperatura do të jetë rreth -6 gradë Celsius gjatë mesditës së hënë kur do ta bëjë betimin Trumpi. Ndërsa gjatë inaugurimit të dytë të Reaganit, temperatura kishin rënë -14 gradë Celsius.
Klan News