Denoncimi i radhës në redaksinë e emisionit “Stop” vjen për Postën Shqiptare, Filiali Durrës nga një pensionist i cili e tërheq pensionin në sportel, por thotë se në mënyrë të pakuptimtë e pa faturë i mbahet çdo muaj 1 mijë lekë të vjetra.
“Jam një pensionist nga Durrësi dhe pensionin e tërheq në Postën Qendrore Durrës. Tani unë kam një problem, kur tërheq pensionin ata të postës na mbajnë 1 mijë lekë (të vjetra), ngjasme sikur na i sjellin pensionin në shtëpi. Faktikisht ne e tërheqim pensionin në sportel. Na mbajnë 1 mijë lekë të vjetra për çdo tërheqje dhe kjo është komision i dërgimit në shtëpi. Ne e tërheqim vetë nuk na i sjellin në shtëpi. I pyeta dhe më tha se ky është rregull për të gjithë. Unë e tërheq vetë, nuk kam pse të paguaj postier,” thotë pensionisti.
Me kamera ne provojmë se arkëtarja Afërdita Lara i jep pensionin me 1 mijë lekë më pak, duke i thënë se kështu funksionon në këtë postë.
Arkëtarja: Kxxxxxx?
Pensionisti: Po!
Pensionisti: 158?
Arkëtarja: Po!
Pensionisti: 159!
Arkëtarja: Ta mbajmë 1 mijë lekëshin.
Pensionisti: Urdhëro?
Arkëtarja: Ta mbajmë gjithmonë një 1 mijë lekësh.
Pensionisti: Pse?
Arkëtarja: Unë e bëj arkëtimin dhe e merr ndërmarrja lekun, 1 mijë lekëshin.
Pensionisti: Si e bën arkëtimin ti? Unë e tërheq pensionin vetë këtu.
Arkëtarja: Po, por ne jemi, për ta prurë në shtëpi!
Pensionisti: Po unë s’po e marr në shtëpi, po e marr këtu!
Arkëtarja: Epo duhet të ndërrosh arkën! Të gjitha arkat e tjera, janë të dy mundësitë. Është mundësia, që shkon e merr vetë dhe nuk të mbahet! Por ka mundësi për ta prurë në shtëpi. Ndërsa këtu jemi pa asnjë mundësi, vetëm me ta sjellë në shtëpi, dhe mbahet komisioni 1 mijë lekë.
Pensionisti: Po duhet të faturohet këtu komisioni!
Arkëtarja: Këtu nuk shkruhet, por unë të jap zarfin.
Pensionisti: Po pse?
Arkëtarja: Kur e mbajmë minusin si kjo.
Pensionisti: Atë zarfin ti ma jep, kur të ma sjellësh në shtëpi, jo këtu!
Arkëtarja: Po kështu nuk na kanë dhënë mundësi tjetër, o Kxxxxxx.
Pensionisti: Po kujt duhet t’i them unë për këtë punë?
Arkëtarja: Po administrata jonë.
Pas pensionistit, ne shkojmë tek arkëtarja e cila në syrin e gazetares shkruan “tarifë e marrë”.
Gazetarja: Tani mirë i mbahet 1 mijë lekëshi si procedurë, por pse nuk lëshohet një kupon që zotëria të jetë i qetë?
Arkëtarja: Këtu kemi zarfet, unë ia tregova zotërisë.
Gazetarja: Çfarë nënkupton kjo tarifë e marrë?
Arkëtarja: Tarifa e marrë do të thotë që e morëm tarifën dhe ky pension tani bashkë me postierin po shkon në shtëpi, edhe zotëria një gjë të këtillë po merr.
Gazetarja: Problemi është që nuk po shkon postieri, por po vjen pensionisti po e tërheq.
Arkëtarja: Nuk i kemi të dyja mundësitë ne këtu.
Edhe postieri pranon, se edhe pensionistëve që e tërheqin vetë pensionin, u mbahet 1 mijë lekëshi i shërbimit.
Gazetarja: Pse mbahet 1 mijë lekëshi?
Postieri: I marrim ne pavarësisht se ti vjen e merr vetë. Nuk duhet të vijë pensionisti vetë sepse ka shërbim.
Gazetarja: Edhe pse ia dërgon ti, edhe pse nuk ia dërgon ti mbahet 1 mijë lekëshi?
Postieri: Po.
Më pas gazetarja shkon te Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimit Linda Manasterliu, pas shumë justifikimeve, i sugjeron pensionistit të transferohet me e-Albania në një tjetër postë që ka edhe shërbimin në shtëpi edhe tërheqjen në sportel.
Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimit: Këtu është shërbimi i pagesës në familje. Përgjegjësia është personale dhe duhet ta sqarojë, atë ka për detyrë, të sqarojë. Pas pak do të shkoj unë tek arkëtarja dhe ta përcaktoj se ku çalon puna.
Pensionisti: Unë aty e kam marrë gjithmonë, si nuk e dije ti?
Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimit: Po vije më parë tek unë, çfarë të të them unë. Vije më parë këtu tek unë, të jepja unë përgjigje.
Pensionisti: Mua kjo më bën përshtypje thotë. Unë e di se aty shpërndani, aty tërheqim lekë.
Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimit: S’ka pse të të bëjë përshtypje ty. Hyr tek e-Albania dhe bëj transferimin.
Gazetarja: Ja dhe një problematikë tjetër: në momentin që unë kam një mandat pagese dhe shumën pse nuk shënohet tarifa e marrë. Se kjo u shënua nga punonjësja pasi ia thashë unë si gazetare.
Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimit: Është gabimi i punonjëses. Punonjësja e ka detyrimin ta shënojë “tarifë e marrë”./tvklan.al